PEZULLIMI I BALLUKUT/ Ngec ankimi i Ramës – Kushtetuesja shtyn vendimin për kërkesën e kryeministrit

Fati politik dhe institucional i Belinda Ballukut mbetet pezull, pasi Gjykata Kushtetuese nuk arriti të japë një vendim përfundimtar mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër pezullimit të saj nga detyra.

Trupa prej tetë gjyqtarësh zhvilloi seancën, por vendosi të marrë kohë shtesë për të dalë me një qëndrim, duke e shtyrë vendimmarrjen për ditët në vijim. Kjo lë në ajër një nga çështjet më të nxehta juridike dhe politike të momentit, që prek drejtpërdrejt balancën mes pushteteve.

Vendimi i Kushtetueses pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në hapat e Kuvendit. Këshilli i Mandateve ka shtyrë mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, pikërisht në pritje të interpretimit që do të japë Gjykata mbi statusin e saj.

Në thelb të debatit qëndron pyetja: a mund të pezullohet një ministër pa autorizim të Kryeministrit? Qeveria kërkon interpretim të nenit 103 të Kushtetutës, duke argumentuar se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit. Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtojnë këtë qasje, duke theksuar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është atribut i Kryeministrit.

Rasti është precedent: për herë të parë një ministër përballet me pezullim pas një kërkese të SPAK, ndërsa paralelisht prokuroria i është drejtuar Kuvendit edhe për autorizim arresti.

Tani topi është në fushën e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i së cilës pritet të japë jo vetëm fatin e Ballukut, por edhe një standard të ri për raportin mes drejtësisë dhe qeverisë.