Sistemi qeveritar e-Albania ka dalë sërish jashtë funksionit, duke paralizuar që në orët e para të mëngjesit aktivitetin e bizneseve në mbarë vendin. Subjektet raportojnë se nuk arrijnë të kryejnë asnjë veprim, ndërsa lëshimi i faturave dhe procesi i fiskalizimit janë praktikisht të ngrira.
Bizneset ankohen se platforma hapet vetëm pjesërisht dhe më pas bllokohet, duke i lënë pa akses në sistemin “self-care”, aty ku verifikohen faturat e blerjes nga furnitorët. “E-Albania hapet deri në një pikë dhe pastaj vetëm rrotullohet. Nuk bëjmë dot asgjë”, shprehet një ekonomist i irrituar, duke theksuar se problematika po zvarritet prej javësh.
Situata krijon një zinxhir paralizues: pa fiskalizim nuk dalin kuponë tatimorë, pa kuponë nuk kryhen shitje, ndërsa bankat e nivelit të dytë nuk përpunojnë pagesat e faturave të fiskalizuara. “Teorikisht, nuk duhet të marrësh as shërbim, sepse malli nuk del pa kupon, por edhe arka nuk punon pa sistem”, thotë një tjetër ekonomiste.
Nga ana tjetër, AKSHI, institucioni përgjegjës për funksionimin e platformës, nuk ka dhënë një reagim zyrtar. Burime për “Monitor” pretendojnë se “sistemi është në rregull” dhe se është ritestuar, por realiteti në terren sipas bizneseve tregon të kundërtën: një bllokim total të shërbimeve.
Ndërprerjet e vazhdueshme po e kthejnë platformën, e prezantuar si “zyra elektronike me një ndalesë” për qytetarët dhe bizneset, në një burim stresi dhe humbjesh financiare, ndërsa mungon çdo afat i qartë se kur do të rikthehet normaliteti.
Për bizneset, dita e sotme është një tjetër provë se varësia totale nga sistemi digjital, pa garanci funksionimi, po kthehet në një rrezik serioz për aktivitetin ekonomik.









