Drejtësia e Posaçme i jep një tjetër goditje ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi konfiskimin e apartamentit 60 m², i cili ishte sekuestruar më herët me kërkesë të SPAK.
Pasuria në fjalë, e ndodhur në zonën e Kryemedhenjve në Golem të Kavajës, u konfiskua fillimisht në prill të vitit të kaluar. SPAK e akuzon Dedjan për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, duke pretenduar se ai nuk e ka përfshirë apartamentin në deklarimet zyrtare. Ish-zyrtari i lartë ka kundërshtuar, duke deklaruar se banesa i përket vëllait të tij dhe se ai vetëm e ka pasur në përdorim.
Më 26 qershor 2023, Dedja u dënua me 6 muaj burg për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, vendim që u konfirmua edhe nga Apeli i Posaçëm në shkurt të këtij viti.
Megjithatë, saga gjyqësore nuk ka përfunduar. Më 15 tetor 2025, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për dënimin penal, duke urdhëruar rigjykim në Apelin e Posaçëm me një tjetër trupë gjykuese. Pavarësisht kësaj, për pasurinë, Apeli i GJKKO ka vendosur ta mbajë të pandryshuar masën e konfiskimit, duke e lënë apartamentin jashtë duarve të ish-kreut të Kushtetueses.









