HISTORIKE/ Supermarrëveshja e shekullit – BE dhe India bashkojnë forcat, krijohet tregu gjigant me 2 miliardë njerëz

Pas afro 20 vitesh negociatash të vështira, ndalesash dhe rikthimesh në tryezë, Bashkimi Evropian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike tregtare që po cilësohet si një nga paktet më të mëdha ekonomike në botë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk kurseu superlativat, duke e quajtur marrëveshjen “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, ndërsa theksoi se me këtë pakt po krijohet një treg i përbashkët me rreth 2 miliardë konsumatorë, që bashkon dy nga ekonomitë më të fuqishme globale.

“Po shkruajmë histori. Dy gjigantë – ekonomia e dytë dhe e katërta më e madhe në botë – zgjedhin partneritetin. Është një fitore e madhe për të dyja palët”, deklaroi von der Leyen gjatë ceremonisë në Indi.

Edhe kryeministri indian Narendra Modi e cilësoi paktin si një kthesë të madhe ekonomike. Sipas tij, marrëveshja do të hapë mundësi të reja zhvillimi për 1.4 miliardë qytetarët e Indisë dhe për miliona evropianë, duke zgjeruar ndjeshëm tregtinë dhe investimet.

Marrëveshja parashikon tregti më të lirë mes 27 vendeve të BE-së dhe Indisë, duke përfshirë heqjen graduale të tarifave për shumicën e produkteve industriale si makineritë, pajisjet elektrike dhe industria e aviacionit. Një nga pikat më të forta është ulja drastike e tarifave për automjetet – nga nivele deri në 110%, në vetëm 10%, brenda kuotave të përcaktuara.

Paketi pritet të ulë kostot për mallrat evropiane që hyjnë në tregun indian, të forcojë zinxhirët e furnizimit dhe të rrisë investimet dypalëshe. Disa sektorë të ndjeshëm bujqësorë janë përjashtuar për të mbrojtur tregjet vendase.

Nënshkrimi përfundimtar pritet më vonë gjatë vitit, pasi marrëveshja të marrë dritën jeshile nga institucionet evropiane. Përtej tregtisë, BE dhe India po thellojnë bashkëpunimin edhe në siguri, mbrojtje dhe klimë — një sinjal i qartë se partneriteti po shndërrohet në një bosht të ri strategjik global.