Shtetet e Bashkuara po përgatisin një lëvizje të fortë strategjike në Amerikën Latine. CIA po punon në heshtje për të krijuar një prani të përhershme në Venezuelë, pjesë e planit të administratës Trump për të riformatuar të ardhmen e vendit pas zhvillimeve dramatike politike dhe rrëzimit të Nicolas Maduros.
Qëllimi i Uashingtonit është i qartë: rikthimi i ndikimit amerikan në Karakas dhe përgatitja e terrenit për rivendosjen e pranisë diplomatike zyrtare. Sipas burimeve të cituara nga CNN, CIA po bashkëpunon ngushtë me Departamentin e Shtetit për të ndërtuar arkitekturën e re të prezencës amerikane në Venezuelë, në një moment delikat tranzicioni politik dhe pasigurie të lartë.
Plani parashikon që në fazat e para të veprojë CIA, me operacione më fleksibile dhe të shpejta në terren, ndërsa më vonë rolin kryesor diplomatik ta marrë Departamenti i Shtetit. Diskutimet përfshijnë si strategjinë afatshkurtër për stabilizimin e situatës, ashtu edhe atë afatgjatë për konsolidimin e ndikimit amerikan.
Zyrtarë të njohur me skenarin thonë se agjencia e inteligjencës mund të operojë fillimisht përmes një strukture të saj në terren, përpara hapjes së një ambasade zyrtare. Kjo do t’u lejonte amerikanëve të nisin kontakte joformale me figura të qeverisë së re, elementë të opozitës dhe aktorë të tjerë kyç, në një model të ngjashëm me atë të përdorur në Ukrainë.
Madje, një ish-zyrtar i administratës amerikane e ka cilësuar ngritjen e një dege të CIA-s në Karakas si “prioritet absolut”, përpara se të rikthehen kanalet zyrtare diplomatike — një sinjal i qartë se beteja për Venezuelën po hyn në një fazë të re, shumë më të thellë dhe të fshehtë.









