“Të enjten votojnë Ramën, të shtunën bërtasin ‘Rama ik’” – analisti shpërthen ndaj PD: Berisha i izoluar, ‘ndërkombëtarja’ e vetme Albana Vokshi

Analisti Arian Curri ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Partisë Demokratike dhe mënyrës se si po organizon protestat kundër qeverisë, duke e cilësuar gjithë narrativën opozitare si të rrëzuar nga vetë veprimet e saj.

I ftuar në “Top Story”, Curri u ndal te protesta e fundit e thirrur nga PD, e prezantuar si “kilometri i fundit” drejt largimit të Edi Ramës, por që sipas tij përfundoi si dështim, pasi qeveria jo vetëm nuk u rrëzua, por opozita doli e dobësuar politikisht.

Sipas analistit, kontradikta më e madhe që po e “vret” protestën është fakti se deputetët e PD-së votojnë në Kuvend për përfaqësimin ndërkombëtar të Ramës, ndërsa pak ditë më pas u kërkojnë qytetarëve ta rrëzojnë atë në rrugë.

“Nuk mund t’u thuash njerëzve të shtunën ‘rrëzojmë Ramën’, kur të enjten e voton që të përfaqësojë Shqipërinë në SHBA”, u shpreh Curri, duke theksuar se kjo e bën kauzën opozitare jo serioze në sytë e publikut.

Ai komentoi edhe daljen e Sali Berishës në Strasburg, duke e quajtur një përpjekje të dëshpëruar për të treguar prezencë ndërkombëtare pas shpalljes non grata. Sipas Currit, Berisha ndodhet në izolim real dhe nuk po arrin të zhvillojë takime domethënëse jashtë vendit.

“Në izolim real është Sali Berisha. Ndërkombëtarja e vetme që takon jashtë është Albana Vokshi”, tha ai, duke ironizuar faktin që Vokshi është përfaqësuesja e PD-së në Këshillin e Europës.

Curri shtoi se ka informacione për tentativa lobimi nga deputetë demokratë që Berisha të zhvillojë takime me diplomatë të huaj, por sipas tij këto përpjekje nuk po japin rezultat.

Në të kundërt, analisti tha se kryeministri Edi Rama po ruan marrëdhënie të forta ndërkombëtare dhe se narrativa e opozitës për “izolimin” e tij është shembur.

“Këtyre u është shkërmoqur e gjithë fabula: ‘Rama u izolua’, ‘Rama ka probleme me amerikanët’. Nuk rezulton kështu”, u shpreh ai.

Në përfundim, Curri e cilësoi situatën e opozitës si një krizë lidershipi dhe besueshmërie, ku sipas tij vetë veprimet e PD-së po minojnë protestat dhe mesazhin politik që ajo kërkon të përcjellë.