Alibeaj tregon detajin: Familja e gjyqtares Gjoka strehoi Berishën në ’97 – Në Fier quhej “delja e zezë” se ishte e djathtë

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka bërë një deklaratë të fortë për gjyqtaren Irena Gjoka, duke hedhur poshtë pretendimet se ajo mund të ketë ndonjë konflikt personal me kreun e PD, Sali Berisha.

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Alibeaj u ndal te e shkuara e familjes së gjyqtares, duke zbuluar se fisi i saj, me mbiemrin Maneku, ka qenë ndër mbështetësit e hershëm të së djathtës në një nga periudhat më të trazuara politike në vend.

Sipas tij, në vitet 1997–1999, kur Berisha – në opozitë – e kishte thuajse të pamundur të hynte në jug të Shqipërisë, ai u prit në Patos pikërisht nga fisi Maneku.

“A e dini kush e ka pritur për herë të parë në Patos? Fisi Maneku. Irena ka këtë mbiemër në trungun e saj familjar”, tha Alibeaj.

Ai shtoi se pas vitit 1997, kur sipas tij sistemi i drejtësisë u dominua nga e majta, Irena Gjoka ishte e vetmja gjyqtare në Gjykatën e Fierit që identifikohej si e djathtë.

“Në atë gjykatë shihej si ‘delja e zezë’, sepse ishte e vetmja që konsiderohej e djathtë”, deklaroi ai.

Alibeaj pranoi se gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë ka pasur përplasje institucionale me të, por theksoi se kjo nuk ndryshon faktet e së shkuarës.

“Aludimi se kjo gjyqtare ka problem personal me Berishën nuk qëndron. Përkundrazi, e shkuara e saj dhe e familjes së saj ka qenë djathtas”, u shpreh ai.

Deklaratat e tij pritet të ndezin debat, pasi prekin drejtpërdrejt figurën e një gjyqtareje dhe raportin e saj të perceptuar me kampet politike në vend.