KQZ “hap thesin” për partitë – 345 milionë lekë nga buxheti i shtetit në 2026 i marrin partitë – PS merr “pjesën e luanit”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vulosur fondin prej rreth 345.6 milionë lekësh që do të shpërndahet si financim publik për partitë politike gjatë vitit 2026, me ndarjen që pasqyron qartë peshën elektorale të secilës forcë.

Sipas skemës ligjore të financimit, fondi ndahet mbi bazën e tre komponentëve: rezultatit në zgjedhje, përfaqësimit parlamentar dhe një pjese të barabartë për çdo subjekt politik.

Nga tabela e shpërndarjes, Partia Socialiste rezulton përfituesja kryesore, duke siguruar 166,067,986 lekë, ndërsa Partia Demokratike renditet e dyta me 81,187,402 lekë. Diferenca e ndjeshme mes dy forcave kryesore reflekton numrin e votave dhe peshën që ato kanë në Kuvend.

Formula e ndarjes parashikon që 70% e fondit lidhet drejtpërdrejt me votat e marra, 20% shpërndahet sipas kritereve të tjera ligjore, ndërsa 10% ndahet njësoj për të gjitha partitë që plotësojnë kushtet.

Formacionet më të vogla përfitojnë shuma shumë më modeste, kryesisht nga pjesa fikse e financimit. Shumica e tyre marrin rreth 5–6 milionë lekë, ndërsa disa subjekte me mbështetje më të gjerë arrijnë në 8 deri në 10 milionë lekë.

Rreth 10 milionë lekë përfitojnë Partia e Lirisë dhe Partia Socialdemokrate, rreth 8 milionë lekë “Mundësia”, 7 milionë lekë “Shqipëria Bëhet” dhe 6 milionë lekë Lëvizja Bashkë. Ndërsa rreth 5 milionë lekë marrin PDIU, PBDNJ, PR, PAA, PDK, FRD dhe PBKD. Në fund të listës, me rreth 4 milionë lekë, renditen Nisma Thurje dhe Koalicioni Euroatlantik.

Vendimi i KQZ-së i jep kështu formë hartës financiare të politikës për vitin e ardhshëm, duke konfirmuar avantazhin e qartë të forcave të mëdha në financimin publik.