Botuesi i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, ka bërë deklarata të forta lidhur me protestat e opozitës, duke theksuar se ato nuk përbëjnë realisht rrezik për mazhorancën. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ai tregoi edhe një episod domethënës nga një bisedë me një mbështetës të Partisë Demokratike, i cili – sipas tij – ishte zhgënjyer thellë pas protestës.
Lesi rrëfeu se militanti i PD-së i kishte thënë se këtë herë kishte paguar furgonin dhe njerëzit për të marrë pjesë në protestë, me bindjen se “Rama po rrëzohej”, por pas përfundimit të tubimit kishte vendosur të mos dilte më. Sipas tij, zhgënjimi në bazën opozitare po rritet për shkak të premtimeve të përsëritura për “protesta vendimtare” që nuk sjellin ndryshim real.
Ai theksoi se opozita nuk po arrin të bashkohet plotësisht dhe se, pa një lidership të ri e të besueshëm, nuk ka shanse për rotacion politik. Lesi shkoi edhe më tej, duke deklaruar se me këtë mënyrë organizimi dhe me drejtimin aktual, Partia Demokratike nuk e mund dot Edi Ramën.
Sipas tij, PD ka nevojë për një figurë të re në krye, që të jetë edhe kandidati për kryeministër, si dhe për krijimin e një “fronti të ri” opozitar, ndryshe protestat do të vazhdojnë të konsumohen pa prodhuar efekt politik









