Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të reagojnë dhe të flasin hapur pas vrasjes së dy personave në Minneapolis nga oficerë policie, duke e cilësuar situatën si alarmante për demokracinë në vend.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Clinton foli për “skena tronditëse” dhe kritikoi ashpër administratën e presidentit Donald Trump, duke e akuzuar për dezinformim lidhur me rrethanat e ngjarjes. Sipas tij, mbrojtja e vlerave demokratike nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qytetarëve.
“Varet nga secili prej nesh që beson te premtimi i demokracisë amerikane të ngrihet dhe të flasë pa frikë”, deklaroi Clinton, duke shtuar se administrata aktuale “i ka mashtruar amerikanët” për atë që ka ndodhur në Minneapolis.
Reagimi i ish-presidentit vjen në një moment tensioni të lartë politik dhe zemërimi shoqëror në SHBA, ku rastet e dhunës policore vazhdojnë të nxisin protesta dhe përplasje të forta politike. Deklaratat e Clinton i bashkohen kritikave në rritje ndaj administratës Trump, duke shtuar kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie lidhur me ngjarjet e fundit.









