PRANGOSJA/ Goditet grupi “Rraja” – kapet në Dubai Bujar Sefa – pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

Një tjetër anëtar i dyshuar i grupit kriminal “Rraja” ka rënë në prangat e policisë. Bujar Sefa, i akuzuar si pjesë dhe drejtues i këtij grupi, është arrestuar në Dubai, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të Policisë së Shtetit.

Sefa, 39 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas hetimeve të SPAK, që disa kohë më parë çuan në goditjen e një grupi me 14 anëtarë, i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e marijuanës dhe kokainës. Arrestimi i tij u realizua në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve të saj.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar Sefës masën e sigurisë “arrest në burg” për një sërë veprash penale, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, prodhimin dhe shitjen e drogës, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, si dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.

Autoritetet bëjnë me dije se ai dyshohet se ka drejtuar një grup kriminal që në vitin 2020 kultivonte bimë narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, në Krujë. Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi janë duke bashkëpunuar për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.