Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka pësuar një ndryshim në drejtim. Dallëndyshe Bici është larguar nga posti i kryeinspektores, pas rreth 18 muajsh në këtë detyrë.
Ajo ishte rikthyer në krye të IKMT-së në korrik 2024, pas një periudhe të shkurtër në drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Gjatë kohës së saj në detyrë, inspektorët e IKMT-së zhvilluan aksione në disa qytete të vendit, kryesisht në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe goditjes së ndërtimeve pa leje.
Sipas burimeve mediatike, në krye të institucionit është emëruar Adriatik Kupi, i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Lëvizja shihet si pjesë e një riorganizimi më të gjerë në institucionet e inspektimit.
Paralelisht, qeveria ka paralajmëruar nisma ligjore për reformimin dhe bashkimin e inspektoriateve, si në nivel vendor ashtu edhe qendror. Kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se synohet reduktimi i hallkave, sidomos i strukturave vendore që, sipas tij, nuk janë efikase në terren.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi detyrën e re të Dallëndyshe Bicit. Ajo ka mbajtur role të rëndësishme në administratë ndër vite, përfshirë drejtimin e IKMT-së për disa mandate, si dhe drejtimin e Kadastrës Shtetërore. Adriatik Kupi, nga ana tjetër, ka shërbyer më parë edhe si administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë.









