ANALIZE/ Media europiane “shkund” politikën shqiptare: Rama dhe Berisha armiq në skenë, aleatë në korrupsion

Një nga revistat më të mëdha në Europë ka analizuar situatën politike në Shqipëri, duke vënë në dukje kontrastin mes përplasjes së fortë publike mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Sali Berisha, si dhe ngjashmëritë në mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe akuzat për favorizim të njerëzve të afërt përmes kontratave publike.

Sipas raportimit, protestat kundër qeverisë socialiste kanë sjellë përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, të udhëhequr nga Sali Berisha, u mblodhën të shtunën para Kryeministrisë në Tiranë, ku kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Pas fjalimeve, situata u përshkallëzua, me protestues që hodhën koktej molotovi drejt policisë, ndërsa forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe mjete ujëhedhëse. Përplasje të tjera u regjistruan edhe gjatë marshimit drejt Kuvendit, ku demonstruesit tentuan të çajnë kordonët policorë.

Autoritetet policore raportuan se të paktën dhjetë efektivë u plagosën lehtë, ndërsa Berisha deklaroi se 25 protestues u arrestuan. Lideri i opozitës e cilësoi situatën si “fazën e fundit para rënies së qeverisë Rama” dhe premtoi vijimin e protestave.

Analiza thekson se klima politike në Shqipëri mbetet e polarizuar, me akuza të ndërsjella për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ndërsa Berisha mohon akuzat se ka favorizuar të afërmit e tij me kontrata publike, revista vëren se retorika e ashpër mes dy kampeve shpesh maskon ngjashmëri të thella në praktikat politike që kritikohen nga publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.