Media greke Protothema i është referuar një deklarate të ish-deputetes së Demokracisë së Re, Niki Tzavella, e cila pretendon se kryeministri shqiptar Edi Rama ka studiuar në Universitetin e Harvardit falë një burse të financuar nga një fondacion grek.
Sipas Tzavellës, në kohën kur Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, ajo mbante postin e nënkryetares së fondacionit dhe ishte përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve nga Europa Juglindore. Në një postim në platformën “X”, ish-deputetja shprehet se ka qenë vetë ajo që e ka përzgjedhur Ramën për bursën, duke theksuar se një nga kriteret ishte prejardhja nga minoritetet. Ajo pretendon se Rama e plotësonte këtë kriter për shkak të origjinës greke të nënës së tij.
Megjithatë, Tzavella e cilëson sot këtë vendim si një “gabim të madh”, duke thënë se në atë periudhë Rama nuk kishte profilin politik që ka aktualisht dhe se përzgjedhja u bë mbi bazën e njohurive të saj për realitetin shqiptar dhe nevojën për figura institucionale.
“30 vjet më parë ai nuk ishte famëkeq. I plotësonte kriteret dhe ishte institucional, në një kohë kur kishte shumë pak kandidatë nga rajoni që mund të studionin në Harvard”, shkruan ajo, duke shtuar se edhe figura të tjera shqiptare nga i njëjti program janë bërë më pas pjesë e politikës së lartë.
Megjithatë, deklarata e Tzavellës ngre pikëpyetje për saktësinë kohore, pasi ajo flet për një periudhë rreth 30 vite më parë, ndërsa Edi Rama është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tiranës vetëm në vitin 2000. Deri tani, nga kryeministri Rama nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.









