MASAKER/ Shpërthen në Kolumbi laboratori i kokainës – 9 të vdekur në bregun e Paqësorit

Një shpërthim i fuqishëm në një laborator përpunimi kokaine në bregun e Paqësorit në Kolumbi ka shkaktuar vdekjen e të paktën nëntë personave, duke rikthyer vëmendjen te dhuna dhe rreziku i trafikut të drogës në rajon.

Ngjarja ndodhi në Tumako, në rajonin jugperëndimor të Narinjos, një zonë e njohur si një nga qendrat kryesore të prodhimit të kokainës në vend, ku operojnë grupe të armatosura dhe komunitete indigjene. Viktimat dyshohet se ishin pjesë e një fraksioni renegat të ish-guerriljes FARC, i njohur si Koordinimi Kombëtar i Ushtrisë Boliviane, i përfshirë në aktivitetet kriminale të narkotikëve.

Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi u shkaktua nga një cilindër gazi që po përdorej gjatë procesit të prodhimit të drogës. Autoritetet e kanë cilësuar incidentin si pasojë të një gabimi njerëzor, ndërsa godina u përfshi nga flakët brenda pak sekondash.

Grupi që kontrollonte laboratorin kishte refuzuar marrëveshjen e paqes të vitit 2016 mes FARC dhe qeverisë kolumbiane, e cila i dha fund dekadave të konfliktit të armatosur, megjithëse aktualisht është përfshirë në bisedime me qeverinë e presidentit Gustavo Petro.

Rajoni i Narinjos mbetet një pikë kyçe për prodhimin dhe trafikimin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa ndikimi i kartelev meksikane ka forcuar më tej kontrollin kriminal në zonë.

Ndërkohë, tensionet rajonale po rriten. Vendet e Amerikës Latine po shkëmbejnë akuza për dështimin në frenimin e trafikut të drogës dhe dhunës që ai ushqen. Së fundmi, presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, vendosi tarifa 30% ndaj Kolumbisë, duke akuzuar qeverinë Petro për mungesë angazhimi në luftën kundër narkotikëve në kufirin dypalësh. Kolumbia u kundërpërgjigj me masa të ngjashme, ndërsa Petro pritet të diskutojë çështjen e krimit të organizuar në një takim me presidentin Donald Trump më 3 shkurt.