Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer sulmet ndaj Kanadasë, duke e akuzuar Otavën se po refuzon bashkëpunimin strategjik ushtarak me Shtetet e Bashkuara dhe po i hap rrugë ndikimit në rritje të Kinës në rajon.
Në një reagim të publikuar të premten, Trump pretendon se autoritetet kanadeze kanë zgjedhur bashkëpunimin me Pekinin, duke hedhur poshtë ofertën amerikane për ndërtimin e sistemit anti-ajror “Kupola e Artë”, një projekt që sipas tij do të garantonte sigurinë jo vetëm të Groenlandës, por edhe të vetë Kanadasë.
Sipas Trump, vendimi i Otavës për të votuar kundër ndërtimit të këtij sistemi përbën një gabim të rëndë strategjik. Ai paralajmëron se afrimi me Kinën do të ketë pasoja serioze për Kanadanë, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe alarmante.
“Kanadaja është kundër ndërtimit të ‘Kupolës së Artë’ mbi Groenlandën, edhe pse ky sistem do ta mbronte edhe atë. Në vend të kësaj, ata zgjodhën të bashkëpunojnë me Kinën, e cila do t’i ‘përpijë’ brenda vitit të parë”, shkruan Trump.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara gjeopolitike në Arktik. Trump ka theksuar vazhdimisht se Kina dhe Rusia kanë ambicie strategjike për Groenlandën, territor që ai e konsideron jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.
Qëndrimet e presidentit amerikan kanë shkaktuar polemika, si për gjuhën e drejtpërdrejtë ndaj një aleati tradicional si Kanadaja, ashtu edhe për paralajmërimet e forta mbi rritjen e ndikimit kinez në hemisferën perëndimore.










