Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përballet me një nga dilemat më të rënda të mandatit të tij, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duket se po hyjnë në fazën vendimtare. Sipas Corriere della Sera, në qendër të negociatave qëndron një propozim i ndjeshëm: lëshimi i një pjese të territorit në Donbas në këmbim të rindërtimit masiv të vendit dhe garancive të forta të sigurisë nga Perëndimi.
Një marrëveshje paqeje thuhet se ekziston tashmë në letër, por ende nuk është firmosur. Hezitimi i Zelenskyt për të konfirmuar deri në minutën e fundit udhëtimin drejt Davosit pasqyron peshën e vendimit që ai duhet të marrë: të pranojë ofertën e mbështetur nga Donald Trump, me rrezikun që garancitë të mbeten vetëm premtime politike, apo të vazhdojë një luftë që, sipas vlerësimeve, ka marrë mbi 100 mijë jetë dhe ka zhytur miliona ukrainas në kushte çnjerëzore.
Pas takimeve në Davos dhe Moskë, vëmendja është zhvendosur në Abu Dhabi, ku për herë të parë delegacionet e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës do të ulen në të njëjtën tryezë negociatash.
Katër dokumente në tryezën e paqes
Sipas burimeve diplomatike, negociatorët mbajnë me vete të paktën katër dokumente që përbëjnë arkitekturën e marrëveshjes së paqes. Dokumenti kryesor është një tekst “ombrellë” që përmbledh gjithë paketën, ndërsa tre anekse të tjera trajtojnë çështjet kyçe.
Aneksi më i ndjeshëm politikisht për Kievin parashikon dhënien me koncesion Rusisë të një pjese të Donbasit, konkretisht rreth 20% të territorit ende të kontrolluar nga Ukraina në rajonin e Donetskut, të cilin Moska e pretendon.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka theksuar se është thelbësore që territori të mos i kalojë Rusisë “de jure”, duke lënë hapësirë për rishqyrtim të marrëveshjes në të ardhmen, veçanërisht në një skenar politik post-Putin.
Rreziku për Ukrainën dhe ofertat amerikane
Për Zelenskyn, ky kompromis mund të rezultojë politikisht shkatërrues. Reagimi i opinionit publik në Ukrainë ka qenë i fortë, ndërsa humbja e fortifikimeve në Donetsk do ta linte frontin të hapur ndaj avancimeve të reja ruse drejt Dnieprit dhe më tej në Odesa. Një zhvillim i tillë do të rrezikonte seriozisht ekzistencën e Ukrainës si shtet i pavarur, duke e privuar nga dalja në Detin e Zi dhe duke e bërë ekonomikisht të varur nga Rusia.
Për të balancuar këtë rrezik, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur në tryezë dy oferta madhore. Së pari, një plan rindërtimi prej 800 miliardë dollarësh, me fonde publike dhe private, i zbuluar nga Politico, që do të udhëhiqet nga Larry Fink, kreu i BlackRock. Së dyti, një paketë garancish sigurie për Kievin, të shoqëruara me praninë e forcave evropiane në territorin ukrainas.
Në thelb, propozimi i Uashingtonit i kërkon Zelenskyt të shkëmbejë territor për para dhe mbrojtje perëndimore.
“Jam optimist. Kemi vetëm një çështje të pazgjidhur – Donetskun. Janë diskutuar shumë opsione dhe është e zgjidhshme. Zelensky është i hapur”, deklaroi Witkoff.









