Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë zyrtarisht në një fazë vendimtare për drejtimin e saj, ku debati për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut ka marrë një kthesë të qartë politike dhe semantike: nga “ofrim dorëheqjeje” në “kërkesë për votëbesim”.
Kështu u përmbyll mbledhja mbi treorëshe e Kryesisë së LDK-së, me rreth 40 anëtarë pjesëmarrës, ku tema qendrore ishte përgjegjësia politike pas rezultatit të dobët zgjedhor prej rreth 13%. Zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, sqaroi se Kuvendi i LDK-së, i thirrur më 31 janar, do të vendosë përmes 355 delegatëve nëse Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë.
Sipas tij, Abdixhiku nuk po jep dorëheqje të parevokueshme, por po kërkon votëbesim, një procedurë e parashikuar nga Statuti i LDK-së. “Kryetari do të kërkojë votëbesim dhe delegatët do të vendosin nëse kanë apo jo besim tek ai. Vetëm pas këtij procesi mund të hapet rruga për kandidatura të tjera”, deklaroi Mustafa.
Debati në Kryesi ka nxjerrë në pah ndarje të thella brenda partisë. Një pjesë e figurave të rëndësishme, mes tyre Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, kërkojnë dorëheqje të menjëhershme dhe pa kushte të Abdixhikut. Bajrami tashmë ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares, ndërsa Hoti ka paralajmëruar të njëjtin veprim nëse, sipas tij, kryetari nuk reflekton.
Nga ana tjetër, mbështetësit e Abdixhikut insistojnë se vendimi duhet t’i lihet Kuvendit, ku – sipas burimeve – balanca e forcave pritet të jetë në favor të tij.
Në sfond të këtij zhvillimi janë edhe akuzat për manipulime të brendshme zgjedhore, pas rinumërimit të votave në qindra qendra votimi. Abdixhiku ka paralajmëruar përgjegjësi politike dhe ligjore për ata që dyshohen për vjedhje votash, duke theksuar se pas Kuvendit të LDK-së do të ndërmerren masa konkrete.
“Do të ketë pasoja politike brenda shtëpisë sonë dhe përgjegjësi sipas ligjit për këdo që ka cenuar votën e lirë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke folur për një përplasje mes “të vjetërve” dhe “të rinjve” në parti.
Këto deklarata kanë nxitur reagime të ashpra, përfshirë edhe atë të avokatit Besnik Berisha, i cili e akuzoi Abdixhikun për thellim të përçarjeve dhe për përpjekje për të siguruar mbështetje artificiale në Kuvend.
Me 31 janar, LDK-ja pritet të përballet me një nga momentet më vendimtare të viteve të fundit, ku vota e delegatëve do të përcaktojë jo vetëm fatin e Lumir Abdixhikut, por edhe drejtimin politik të partisë.









