Groenlanda në qendër të tensioneve – edhe Kanadaja shqyrton dërgimin e trupave; vendimi në dorën e kryeministrit Carney

Pas disa vendeve evropiane, edhe Kanadaja po shqyrton mundësinë e dërgimit të një force të kufizuar ushtarake në Groenlandë, në kuadër të stërvitjeve të planifikuara të NATO-s. Lajmi është konfirmuar nga një burim i njohur me çështjen dhe u raportua fillimisht nga CBC News dhe gazeta Globe and Mail.

Sipas burimeve, drejtuesit ushtarakë kanadezë ia kanë paraqitur tashmë planet qeverisë dhe janë në pritje të miratimit përfundimtar nga kryeministri Mark Carney.

Situata e vendos Carney-n në një pozicion delikat diplomatik, për shkak të deklaratave dhe kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me pushtimin e Groenlandës. Kryeministri kanadez synon të shfaqë solidaritet me aleatët evropianë, ndërsa paralelisht të ruajë marrëdhënie funksionale me Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur Trump ka hedhur më parë edhe pretendime për aneksimin e Kanadasë.

“Jemi të shqetësuar për këtë përshkallëzim. Për të qenë të qartë, Kanadaja ka mbështetur gjithmonë pavarësinë kombëtare dhe integritetin territorial të çdo vendi, kudo që ndodhet”, deklaroi Carney për gazetarët gjatë një vizite në Doha.

Javën e kaluar, disa shtete evropiane dërguan personel ushtarak në Groenlandë si pjesë e përgatitjeve për stërvitjet e NATO-s që do të zhvillohen më vonë gjatë vitit. Gjermania, Franca, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Holanda kanë konfirmuar pjesëmarrjen me trupa dhe staf ushtarak, duke sinjalizuar rritjen e vëmendjes strategjike ndaj rajonit.