Çështjet e Ballkanit – Lavrov e konfirmon: Rusia në komunikim me SHBA

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi të martën se Moska është në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në Ballkan, duke theksuar se ekziston gatishmëri nga të dyja palët për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit.

Në një konferencë për media, Lavrov tha se Rusia ka më shumë hapësirë për dialog me SHBA-në sesa me Bashkimin Evropian, veçanërisht për çështje që lidhen me Bosnje-Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit. Sipas tij, këto kontakte po vijojnë, por deri tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

“Kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin, përfshirë Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet e tjera të rajonit. Këto kontakte vazhdojnë, edhe pse ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv apo negativ. Ne jemi të hapur për këtë dialog dhe, nga sa mund të vlerësoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë të njëjtën gatishmëri”, u shpreh Lavrov, cituar nga agjencia Reuters.

Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një kohë kur zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kanë ngritur alarmin për rritjen e ndikimit rus në Ballkan. Në këtë kontekst, Serbia shpesh përshkruhet nga autoritetet kosovare si një aleat kyç dhe “dorë e zgjatur” e Moskës në rajon.