Kuvendi i Shqipërisë hapi këtë të hënë vitin parlamentar 2026 mes tensioneve dhe kaosit, në një seancë që zgjati vetëm 30 minuta dhe u shndërrua në një tjetër përplasje të fortë politike. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, të udhëhequr nga Sali Berisha, i cili transmetoi zhvillimet drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Megjithatë, aksioni i paralajmëruar nga Berisha nuk gjeti mbështetje të plotë brenda opozitës. Gjashtë deputetë – Agron Shehaj, Erald Kapri, Fatmir Mediu, Artan Luku, Ana Dajko dhe Redi Muçi – nuk iu bashkuan bllokimit të seancës, duke nxjerrë në pah ndarjet e brendshme.
Prania në sallë e zv/kryeministres Belinda Balluku ndezi më tej tensionet, me opozitën që kërkoi dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë. Sipas opozitës, Balluku nuk duhej të ishte e pranishme në Kuvend, duke qenë nën hetim nga SPAK.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për “bunkerizimin” e institucionit dhe për lejimin e një provokimi politik të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.
“Dënojmë sjelljen e kryetarit të Kuvendit, i cili ka zyrtarizuar bunkerizimin e Kuvendit në emër të të korruptuarve. Në vend që Belinda Balluku, sipas kërkesës së SPAK, të përballet me drejtësinë, ajo ulet në sallë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë streha e të korruptuarve, por duhet t’i shërbejë interesit të qytetarëve”, deklaroi Bardhi.









