Trump paralajmëron Evropën: Fokusohuni te Ukraina, jo te Groenlanda

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një tjetër mesazh të fortë ndaj udhëheqësve evropianë, duke u kërkuar atyre të përqendrohen te lufta në Ukrainë dhe jo te Groenlanda. Në një intervistë për NBC News, Trump shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse do të përdorte forcën ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke u mjaftuar me fjalët: “Pa koment”.

Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj importeve nga tetë vende evropiane, nëse nuk arrihet një marrëveshje që Groenlanda t’i shitet Shteteve të Bashkuara. Ai kritikoi ashpër liderët evropianë për kundërshtimin e planeve të tij, duke argumentuar se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane dhe mbrojtjen nga kërcënimet e jashtme.

“Evropa duhet të përqendrohet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse, sinqerisht, shihni se ku ka përfunduar kjo situatë. Kjo është ajo që duhet të jetë prioriteti i Evropës, jo Groenlanda”, deklaroi Trump.

I pyetur nëse do të vijonte me vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane në rast se nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën, presidenti amerikan ishte i prerë: “Po, 100 përqind”.