Prokuroria e Posaçme ka nisur marrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë financuar Kuvendin e Rithemelimit të Partisë Demokratike, i zhvilluar në dhjetor të vitit 2021.
Burime bëjnë me dije se SPAK po hedh dritë mbi aspektin pasuror të kësaj ngjarjeje, i cili mbetet një fraksion hetimor i veçantë, pas dorëzimit të dosjes “Partizani” në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku janë të pandehur tetë persona, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në listën e dëshmitarëve është përfshirë edhe Indrit Hoxha, anëtar i Kryesisë së PD-së, i cili është marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesit dhe donatorit. Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, SPAK pyeti edhe deputetin Belind Këlliçi.
Deri më tani, katër financues të Kuvendit të Rithemelimit janë thirrur për të dhënë shpjegime para prokurorëve të posaçëm.
Megjithëse ruajti sekretin hetimor, Indrit Hoxha deklaroi për mediat se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar, duke theksuar se hetimet pasurore duhet të zhvillohen ndaj çdo personi të përfshirë në politikë, pa përjashtim.









