Nga Lezha, gjatë takimit të radhës në kuadër të turit të Foltores, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, riktheu akuzat e ashpra ndaj ish-kryetarit Lulzim Basha, të cilin e cilësoi si shkakun kryesor të krizës së thellë në PD.
Berisha e përshkroi Bashën si “një kalbësirë të brendshme” që, sipas tij, tentoi të rrënonte partinë nga brenda, duke luajtur një rol të dyfishtë. “Ditën ishte me demokratët, natën ndante pazaret me Edi Ramën”, deklaroi ai, duke e akuzuar se ka punuar kundër interesave të opozitës dhe qytetarëve.
Sipas Berishës, demokratët përballuan një nga provat më të vështira në historinë e tyre politike, kur vendosën ta mbështesin atë në vjeshtën e vitit 2021. “Ishte vendimi më i vështirë, por edhe më i rëndësishëm. Vendimi për të dalë nga opozita fasadë dhe për t’u bërë opozitë e vërtetë”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për ta fshirë partinë nga harta politike, demokratët u ringritën “si Feniksi nga hiri”, duke përballuar jo vetëm qeverinë, por edhe atë që e cilësoi si një betejë globale kundër “mafies botërore” dhe influencës së George Soros.
Berisha e mbylli fjalën e tij duke lavdëruar mbështetësit për guximin dhe qëndresën, duke theksuar se asgjë nuk arriti ta mposhtë Partinë Demokratike dhe se përpjekjet për ta shkatërruar nga brenda dështuan.









