Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u përball sot në Lezhë me një pyetje të drejtpërdrejtë nga një qytetar, i cili e sfidoi publikisht për largimin nga drejtimi i partisë: “Doktor, kaq e vështirë është të dorëzosh stafetën?”
Pyetja, e bërë gjatë takimit me strukturat demokrate, shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Berisha, i cili u detyrua të japë sqarime për të ardhmen e lidershipit në PD. Ai theksoi se nuk ka ndërmend të caktojë asnjë pasardhës personal dhe se drejtuesi i ardhshëm i partisë do të zgjidhet nga vetë anëtarësia.
“E vetmja gjë që nuk do ta bëj kurrë është të vendos pasardhës. As vajzën, as djalin tim. Pasardhësin ua lë juve, demokratëve,” deklaroi Berisha nga foltorja e Lezhës.
Qytetari që e pyeti Berishën vuri në dukje se ai kishte dhënë prova si burrë shteti në vitin 2013, kur dorëzoi pushtetin pas humbjes zgjedhore, por shprehu dyshime se sot ai mund të hezitojë nga frika e rikthimit të një skenari të ngjashëm me drejtimin e Lulzim Bashës.
Nga ana e tij, Berisha u përpoq të justifikojë qëndrimin, duke pranuar gabimet e së shkuarës, përfshirë piramidat, por duke theksuar se Partia Demokratike ka respektuar rotacionin politik dhe mbetet, sipas tij, “mbrojtësja më e vendosur e votës së shqiptarëve”.
Takimi në Lezhë ekspozoi hapur tensionet brenda bazës demokrate dhe riktheu në qendër të debatit pyetjen që po shtrohet gjithnjë e më shpesh: kur dhe si do të ndodhë tranzicioni i lidershipit në Partinë Demokratike?









