Rregullat për kolaudimin e automjeteve do të ndryshojnë, duke parashikuar kontroll teknik të detyrueshëm pas çdo ndryshimi të pronarit të mjetit. Këto ndryshime janë përcaktuar në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2026.
Sipas udhëzimit, pavarësisht datës së kontrollit të fundit teknik, autoriteti kompetent mund të kërkojë që automjeti t’i nënshtrohet një kontrolli të ri teknik në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit. Një kontroll i tillë mund të kërkohet edhe në rastet kur mjeti ka përshkuar mbi 160 mijë kilometra.
Paralelisht, dokumenti parashikon rregulla të reja për shkëmbimin e informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare do të mund të përdorin platformat e Komisionit Evropian për të shkëmbyer të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximin e odometrit mes shteteve anëtare.
Po ashtu, inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve do të kenë akses, kur është e zbatueshme, në platforma të tjera elektronike të Komisionit Evropian, për të marrë informacion mbi historikun e aksidenteve dhe aspektet e sigurisë së mjeteve të përfshira në ngjarje rrugore.
Udhëzimi sjell edhe ndryshime të tjera të rëndësishme, përfshirë riformatimin e kategorizimit të mjeteve, me qëllim përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.









