Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar 2026, në orën 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, mbledhja do të zhvillohet në kuadër të vijimit të procedurave për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, e cila synon marrjen e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin apo heqjen e lirisë së deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, përmes zëvendësimit të masës së sigurimit, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ndërkohë, Kuvendi ka bërë të ditur se sesioni i ri parlamentar do të nisë më 19 janar 2026, në bazë të nenit 74 të Kushtetutës dhe nenit 42 të Rregullores së Kuvendit. Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit ka firmosur disa urdhra për organizimin e veprimtarisë parlamentare.
Me urdhrin nr. 1, datë 12 janar 2026, është thirrur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve më 19 janar, ora 11:00, ku do të shqyrtohet dhe miratohet programi dhe kalendari i punimeve të Kuvendit, si edhe kalendari i ushtrimit të kontrollit parlamentar.
Me urdhrin nr. 2, po në datën 12 janar 2026, është thirrur seanca plenare e Kuvendit më 19 janar, ora 17:00, e cila do të shënojë hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI. Seanca do të zhvillohet me rend dite procedurial.
Po ashtu, me urdhrin nr. 3, është thirrur zyrtarisht mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK.
Gjithashtu, është njoftuar se më 20 janar 2026, në orën 11:00, do të mblidhet Byroja e Kuvendit, e cila do të trajtojë çështje procedurale dhe organizative, përfshirë ankesat e deputetëve, ndryshimet në strukturën e administratës parlamentare, plotësimin e vendeve vakante dhe informimin mbi detajimin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2026.









