Disa klientë të Bankës Kombëtare Tregtare janë përballur me humbje të papritura fondesh nga kartat e tyre bankare, të cilat dyshohet se janë klonuar dhe përdorur pa dijeninë e tyre.
Sipas rasteve të identifikuara nga Kapitali, kartat rezultojnë të jenë përdorur për transaksione në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë. Në një prej rasteve, një kartë është përdorur në Bullgari për blerje me vlera prej disa mijëra eurosh, ndërsa në raste të tjera fondet janë tërhequr apo shpenzuar në Itali dhe shtete të tjera.
Pas publikimit të këtyre informacioneve, Kapitali i është drejtuar zyrtarisht Bankës Kombëtare Tregtare për sqarime mbi situatën. Në reagimin e saj, BKT konfirmon se një numër kartash janë klonuar përmes një bankomati në Tiranë, ku autorët kishin instaluar pajisje dhe kamera për kapjen e të dhënave.
Sipas bankës, incidenti ka zgjatur rreth një orë dhe është konstatuar në kohë nga stafi, çka – sipas saj – e kufizon numrin e kartave të prekura. BKT bën me dije se klientët e dëmtuar do të rimbursohen plotësisht për shumat e humbura.
Megjithatë, Kapitali thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur përmasat reale të fenomenit, por fakti që disa raste janë identifikuar brenda një periudhe të shkurtër kohore ngre dyshime se problematika mund të jetë më e gjerë sesa pranohet zyrtarisht.
Pavarësisht shtrirjes së incidentit, rasti ka rikthyer në vëmendje nevojën për rritje të investimeve në sigurinë kibernetike dhe fizike të sistemeve bankare, veçanërisht në kushtet e dixhitalizimit në rritje të shërbimeve financiare.









