Rënia e ndjeshme e temperaturave, që në shumë zona kanë zbritur disa gradë nën zero, po shton edhe rrezikun për probleme kardiake, përfshirë atakun në zemër. Sipas ekspertëve, i ftohti ushtron presion mbi zemrën dhe shkakton ngushtimin e enëve të gjakut.
Kardiologu Ermir Tafaj, në një intervistë për Euronews Albania, theksoi se më të rrezikuar janë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut. Ai apelon për kujdes të shtuar nga kjo kategori, veçanërisht gjatë ekspozimit në temperatura të ulëta.
Megjithatë, sipas mjekut, edhe personat që ndihen të shëndetshëm dhe nuk kanë kryer kontrolle mjekësore së fundmi duhet të tregojnë vëmendje, sidomos kur punojnë në ambiente të ftohta ose kryejnë sforcime fizike.
Kardiologu rekomandon që të mos neglizhohet asnjë dhimbje në gjoks, edhe nëse ajo zgjat vetëm disa sekonda dhe largohet pas ndalimit të aktivitetit ose kalimit në ambiente të ngrohta, pasi mund të jetë shenjë paralajmëruese e një problemi serioz kardiak.









