PLANI I TRUMP/ Konfirmon DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë së SHBA për dëbimin e emigrantëve

Liderët e rajonit në test para Trump.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar lajmet se Uashingtoni ka nisur bisedimet me vendet e Ballkanit për të vendosur emigrantët që do të dëbohen nga atje. Reagimi ka ardhur në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, teksa DASH ka preferuar të mos komentojë detajet e artikullit të Bloomberg, i cili dha i pari lajmin.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump është një nga prioritetet kryesore të tij.

Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit theksuan gjithashtu se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

Siç ka thënë Sekretari i Shtetit, [Marco] Rubio, ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë e kufijve amerikanë. Në këtë drejtim, çdo shtet duhet urgjentisht të pranojë kthimin e shtetasve të vet, që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Departamenti i Shtetit.

Në disa raste, thuhet po ashtu në përgjigje, mund të bashkëpunohet edhe me vende të tjera për të lehtësuar largimin nga Shtetet e Bashkuara të shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në SHBA.

“Bloomberg News” raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë emigrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Po atë ditë, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, por nuk mori përgjigje.

Në prill, edhe Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dëbimit të emigrantëve në Moldavi, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit.