Fabula e Ezopit është shkruar në shekullin VI para Krishtit, por mbetet e freskët dhe tronditëse edhe në botën hiperteknologjike të shekullit XXI. (Në këtë fabulë, akrepi e lut bretkosën ta ndihmojë të kalojë lumin, por në mes të rrugës e thumbon, duke i sjellë fundin të dyve – një metaforë për natyrën që nuk ndryshon edhe kur vetëshkatërrohet).
Vështirë të thuhet me siguri – ndërmjet Donald Trump dhe Elon Musk – kush është bretkosa dhe kush akrepi që e thumbon, duke sjellë ‘fundin’ për të dy.
Kalimi i rrufeshëm nga lavdërimet dhe përqafimet publike në urrejtje të hapur, arroganca, narcizmi dhe ndjenja e gjithfuqishmërisë që i shtyn drejt një spirale kërcënimesh pa kufi, janë armët më të rrezikshme të dy burrave më të fuqishëm të së djathtës amerikane. Dhe mund të rezultojnë fatale – për presidentin aktual të SHBA-së, por edhe për perandorinë industriale të njeriut më të pasur në botë.
Steve Bannon, armik i betuar i Musk dhe ushtar i vijës më të ashpër të lëvizjes MAGA, ka shkuar aq larg sa të kërkojë dëbimin e tij nga SHBA, duke e quajtur “imigrant të paligjshëm” dhe duke propozuar konfiskimin e të gjitha kompanive të tij që furnizojnë qeverinë dhe ushtrinë amerikane me teknologji.
Nga partneritet i pasigurt, në përplasje vdekjeprurëse
Ky bashkëjetim i paqëndrueshëm midis Trump dhe Musk është shndërruar papritur në një ciklon sulmesh publike të pamatura, përshpejtuar nga rrufeshmëria e rrjeteve sociale. Dhe kjo përplasje kërcënon të dëmtojë vetë Amerikën, e cila tashmë përballet me tensione ndërkombëtare, sfida me Kinën dhe kriza të brendshme ekonomike – ndërkohë që Komanda e saj është thellësisht e përçarë nga konflikti mes presidentit dhe kapitalistit më të fuqishëm të vendit.
Ka pasur thirrje për një “armëpushim”, por akuzat e ashpra – sidomos nga ana e Musk – duket se kanë kaluar një pikë pa kthim.
Çfarë mund të bëjë Musk ndaj Trump-it?
Musk ka në duart e tij një fuqi industriale dhe teknologjike të jashtëzakonshme: raketa, anije hapësinore, satelitë spiunë dhe të telekomunikacionit si Starlink. Por nuk mund të tërheqë papritur teknologjitë e sigurisë që i ka vënë në dispozicion të Pentagonit, pa u përballur me konfiskim dhe ndërhyrje të menjëhershme nga shteti.
Ai e tërhoqi shpejt kërcënimin për të “çaktivizuar” anijet Dragon të SpaceX – të vetmet mjetet amerikane që dërgojnë astronautë dhe pajisje në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Por nëse Trump do të vendoste të konfiskonte kompanitë e Musk, zhvillimet e mëtejshme teknologjike të SpaceX, Starlink, Tesla e të tjerave do të ndaleshin.
Musk për momentin përbën më shumë rrezik politik: ka premtuar se nuk do të financojë më MAGA-n, dhe kërcënon t’i kundërvihet kandidatëve republikanë që mbështesin një projektligj që ai e konsideron “katastrofik”. Madje kërcënon të krijojë një parti të re që do të sfidojë Partinë Republikane. Dhe ka rilançuar teori për “impeachment” ndaj Trump, duke pretenduar se ka prova për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, trafikantin e miturash që vdiq në burg më 2019.
Musk thotë se dosjet që Trump kishte premtuar t’i bënte publike janë ende të fshehura, sepse në to gjenden provat e lidhjes së tij me Epstein. Në rrjete sociale po qarkullojnë video dhe foto të Trump në shoqëri të Epstein, ndërsa Musk pretendon se ka në dorë material shumë më “shpërthyes”.
Nuk është e thjeshtë që Musk të rrëzojë një president amerikan, por mund të ndikojë tek votuesit konservatorë të zhgënjyer, duke dobësuar bazën elektorale të Partisë Republikane në zgjedhjet e ardhshme.
Çfarë mund të bëjë Trump ndaj Musk?
Padyshim rreziku më i madh vjen nga Trump, i cili mund të dëmtojë thellësisht perandorinë e Musk. Presidenti mund të revokojë kontratat shtetërore me kompanitë e tij – një veprim i diskutueshëm ligjërisht, por me pasoja kolosale. Po ashtu, mund të godasë Musk përmes revokimit të subvencioneve për makinat elektrike, ndalimit të robotaksive, apo bllokimit të lëshimeve të reja të anijeve Starship, duke i etiketuar si rrezik për mjedisin ose sigurinë.
Madje, statusi i Musk si mbajtës i autorizimit për teknologji sekrete (security clearance) mund të kthehet në një boomerang: përdorimi i substancave si ketamina, kontaktet e papublikuara me liderë si Putin (të mohuara nga Musk, por të konfirmuara nga Kremlini), dhe interesat e tij në Kinë, mund të shfrytëzohen për ta paditur ose për ta larguar nga projektet me rëndësi strategjike.
Musk mund të jetë mjeshtër në përshpejtimin e teknologjisë, por siç po e tregojnë këto javë, ai ende nuk e ka gjetur frenin. Dhe Trump – një mjeshtër në përballje brutale – duket se është gati ta shtypë, nëse ky konflikt merr drejtimin e pakthyeshëm. Një duel i tipit “ose unë, ose ti”, që rrezikon të kthehet në një autogol fatal – jo vetëm për ata vetë, por për vetë Amerikën. “Corriere Della Sera”









