THELLOHET KONFLIKTI/ “Është një tradhti e pastër”, Musk hyn në “luftë” edhe me Steve Banno: Je një kriminel

Përplasja mes ish-presidentit Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk po merr përmasa gjithnjë e më të thella, me ish-strategun e Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, që e ka shpallur publikisht “armiqësinë e pakthyeshme” mes Musk dhe rrethit të ngushtë të Trump.

Në një intervistë për NPR, Bannon deklaroi se Musk “e ka kaluar Rubikonin” dhe se nuk ka më rrugë kthimi pas referencave të tij për dosjet Epstein dhe thirrjen që Trump të shkarkohet dhe të zëvendësohet nga senatori JD Vance.

“Musk ka kaluar çdo kufi. Kjo është një tradhti e pastër,” tha Bannon, duke e etiketuar Musk si “kriminal” dhe “i padenjë për t’u afruar me Trumpin”.

Përplasja u ndez edhe më shumë pasi Musk iu përgjigj disa përdoruesve në platformën X, duke e quajtur Bannon “kriminal” dhe duke e akuzuar se “propagon krimin sepse vetë është kriminel”. Kujtojmë se Bannon u dënua në vitin 2022 për shpërfillje të Kongresit, pasi refuzoi të dëshmonte mbi trazirat e 6 janarit në Kapitol. Ai u lirua nga burgu tetorin e kaluar pas 4 muajsh burgim.

Në kulmin e polemikave, Bannon ka shkuar edhe më tej: në podcastin e tij “War Room” ai ka kërkuar që Trump të përdorë Aktin e Prodhimit për Mbrojtjen për të marrë kontrollin e SpaceX, duke e konsideruar kompaninë një “çështje sigurie kombëtare”.

“Ky njeri është një kërcënim për kombin,” deklaroi Bannon, duke aluduar madje se Musk duhet deportuar, pavarësisht se ai është qytetar amerikan që nga viti 2002.