PLAS NE ASHM/ ‘Luftë’ brenda llojit për një mandat në Durrës; Andia Ulliri kërkon vendin e Arjan Ndojës, pretendon edhe Kalaja

Në Qarkun e Durrësit, koalicioni ‘PD-ASHM’ arriti të sigurojë 6 mandate deputetësh, nga 14 që ka në total ky qark. Pesë nga emrat që morën mandatin i përket listës së mbyllur apo të paracaktuar, ndërsa mandati i 6 hyn nga lista e hapur.

Referuar votave preferenciale, mandati i ka kaluar ish-prokurorit Arjan Ndoja i cili ka grumbulluar 9167 vota.

Pas tij renditet Aulon Kalaja dhe Andia Ulliri. Kalaja ka ngritur pretendime lidhur me procesin, numërimin e votave, duke paralajmëruar se do t’i shkojë deri në fund çështjes, edhe pse renditet me rreth 1 mijë vota më pak se Ndoja.

E ndërsa Kalaja ka nisur betejën e tij, duke marrë edhe pamjet filmike nga procesi i numërimit të votave sipas qendrave të votimit, Andi Ulliri pretendon mandatin nga lista e hapur, duke e bazuar kërkesën e saj te respektimi i kuotës gjinore në shpërndarjen e mandateve.

Ulliri thekson se renditja e kandidatëve fitues, siç pasqyrohet aktualisht në faqen zyrtare të KQZ-së, nuk respekton përfaqësimin gjinor të përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

“Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, i cili është renditur i pari në listë me vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor”, thuhet në kërkesën që Ulliri i ka drejtuar KQZ-së.

Lëmshi me mandatet e PD në Durrës; Andia Ulliri kërkon

Nga ana tjetër ajo referon ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi, ku pretendon përmes një amendamenti të Kodit Zgjedhor, se një në çdo tre kandidatë fitues në listë, pas rirenditjes nga votimi parapëlqyes, t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë”, thuhet ankimim.

Ulliri thekson se ky interpretim është mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj Nr. 85, datë 24.12.2024, ku është pohuar se lista zgjedhore është një dhe e vetme, e ndarë në dy pjesë për qëllime teknike, por që në shpërndarjen përfundimtare të mandateve duhet të zbatohet kuota gjinore në listën totale.

“Interpretimi i bërë nga KQZ është i pambështetur në ligj dhe në asnjë vendim të Komisionit Rregullator. Kemi të bëjmë me një listë unike, e cila duhet të garantojë që 1 në 3 fitues të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar”, thekson Ulliri.

Nëse i referohemi shpërndarjes së mandateve nga KQZ, vërehet se në Qarkun e Durrësit, në rastin e Partisë Socialiste, mandatin e deputetit e merr Etleva Budini, edhe pse ajo renditej poshtë Ilir Ndrazhit dhe Gentian Hilla, dy kandidatë, të listës së hapur që i pari ka marrë 3 mijë vota më shumë se Budini, ndërsa tjetri rreth 900 vota më shumë se emri që i jepet mandati për shkak të kuotës gjinore.

Tashmë pritet interpretimi që KQZ do t’i bëjë kësaj kërkese, dhe më pas procesi mund të vijojë me shkallët e tjera, ku Ulliri mund t’i drejtohet me ankesa.