Partia Demokratike dhe aleatët e saj të përfshirë në koalicionin ‘PD-ASHM’ morën rezultatin më të dobët zgjedhor në të paktën 20 vitet e fundit, duke siguruar vetëm 50 mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 majit.
E ndërsa zyrtarisht PD ka deklaruar se nuk do të njohë rezultatin zgjedhor, një prej kandidatëve të listës së hapur, Jonathan Pano, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shfaqur një qëndrim kundër linjës zyrtare që përfaqësohet nga Sali Berisha.
“Kemi përpara një rrugë të gjatë. Dhe si forcë politike kemi detyrimin për të bërë një analizë të thellë dhe të sinqertë. Të kuptojmë çfarë nuk funksionoi. Jo për t’i hedhur fajin tjetrit, por për të pastruar shtëpinë tonë. Sepse nëse duam të fitojmë besimin e shqiptarëve, nuk mund të jemi më një opozitë që merret vetëm me pushtetin – por një alternativë që merret me zgjidhjet”, shkruan Pano në reagimin e tij të parë, pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ai thekson se i hyri garës në 11 maj me një bindje të thellë: se politika ka ende vend për njerëz të ndershëm, për të rinj që nuk pranojnë të heshtin, për familje që kërkojnë siguri dhe dinjitet.
“Besoj se familja shqiptare duhet parë si një investim kombëtar. Në një kohë kur Shqipëria po përjeton një krizë të thellë shpopullimi, politika duhet të jetë mjet për të mbrojtur, fuqizuar dhe inkurajuar lindjet, për të mbështetur prindërit, dhe për t’u dhënë të rinjve arsye të qëndrojnë dhe të ndërtojnë këtu jetën e tyre. Sepse pa familje, nuk ka as ekonomi, as komb, as të ardhme. Dhe kjo ishte zemra e platformës time në PD: të bëjmë shtetin aleat të qytetarëve, jo barrë mbi ta”, shprehet ai.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fjonathan.pano.204418%2Fposts%2Fpfbid04TyE1BvCid3f27mQw7bzSEuaTLirpuKLejr3BFVpomKf4ZwkUqHptQAjSA4AzQB6l&show_text=true&width=500
Postimi nga Jonathan Pano
Faleminderit 482,279 herë! ????????
Kam pritur deri në përfundimin zyrtar të certifikimit të zgjedhjeve për të ndarë këtë mesazh. Jo sepse prisja një ndryshim rezultati, por sepse besoj se çdo proces demokratik meriton t’i jepet fund me dinjitet, dhe çdo qytetar meriton respektin që i takon.
Faleminderit nga zemra për çdo votë, për çdo fjalë mbështetëse, për çdo dorë që u shtrëngua në rrugë, për çdo sy që dha sinjal shprese. Mbi të gjitha, faleminderit të gjithë atyre që votuan të lirë – pa frikë, pa presion, pa ndikim nga pushteti. Ju që nuk u shitët, nuk u trembët, nuk u përkulët. Ju që zgjodhët të flisni me votë për dinjitetin dhe të ardhmen e këtij vendi.
Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që më votuan mua personalisht. Për ata që më besuan mua zërin e tyre. Faleminderit shtabit tim elektoral për punën e jashtëzakonshme në çdo cep të fushës. Faleminderit familjes time për sakrificën dhe durimin. Por mbi të gjitha, gjithë falënderimet dhe lavdia i takojnë Zotit, i cili ka qenë mbështetja ime e pandryshueshme në çdo hap të kësaj rruge.
I hyra kësaj gare me një bindje të thellë: se politika ka ende vend për njerëz të ndershëm, për të rinj që nuk pranojnë të heshtin, për familje që kërkojnë siguri dhe dinjitet. Besoj se familja shqiptare duhet parë si një investim kombëtar. Në një kohë kur Shqipëria po përjeton një krizë të thellë shpopullimi, politika duhet të jetë mjet për të mbrojtur, fuqizuar dhe inkurajuar lindjet, për të mbështetur prindërit, dhe për t’u dhënë të rinjve arsye të qëndrojnë dhe të ndërtojnë këtu jetën e tyre. Sepse pa familje, nuk ka as ekonomi, as komb, as të ardhme. Dhe kjo ishte zemra e platformës time në PD: të bëjmë shtetin aleat të qytetarëve, jo barrë mbi ta.
E me gjithë këtë… me sa duket nuk mjaftoi!
Sepse kur përballesh me një makineri të tërë shtetërore, me institucione të kapura, me miliona euro që shpërndahen në emër të ndihmës, por në funksion të votës… e di që rezultati nuk është pasqyrë e pastër e vullnetit qytetar, por është fushëbetejë e pabarabartë.
Por gjithsesi, kjo nuk është një ankesë. Është një reflektim. Sepse edhe në një fushë të pabarabartë, ka ende vlerë të qëndrosh drejt. Të luftosh ndershmërisht. Të mos bëhesh njësoj.
Dikush më pyeti: “E mbylle me politikën?” Jo! Unë sapo kam filluar. Kjo nuk ishte një garë për një karrige. Ishte një betejë për t’i dhënë zë një vizioni. Dhe vizionet nuk maten me mandate – maten me ndikim, me këmbëngulje dhe me kohë.
Kemi përpara një rrugë të gjatë. Dhe si forcë politike kemi detyrimin për të bërë një analizë të thellë dhe të sinqertë. Të kuptojmë çfarë nuk funksionoi. Jo për t’i hedhur fajin tjetrit, por për të pastruar shtëpinë tonë. Sepse nëse duam të fitojmë besimin e shqiptarëve, nuk mund të jemi më një opozitë që merret vetëm me pushtetin – por një alternativë që merret me zgjidhjet.
Unë do të jem aty. Jo si spektator, por si kontribues. Jo me iluzione, por me vendosmëri. Sepse Shqipëria meriton më shumë. Dhe sepse ende ka njerëz që besojnë. E për ata, ia vlen të mos dorëzohesh.
“Mos u lodhni duke bërë të mirën, sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e duhur.”
— Galatasve 6:9 (ALBB 1994)
Ky ishte vetëm fillimi.









