ADMINISTRIMI TERRITORIAL/ Kosova merr nën kontroll edhe një objekt tjetër në Leposaviç

Autoritetet lokale në Leposaviç, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë marrë kontrollin mbi sallën sportive në këtë qytet, e cila funksiononte sipas sistemit të Serbisë.

Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviç, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se qëllimi i sallës sportive nuk do të ndryshojë dhe se të gjithë do të mund ta përdorin atë për të njëjtat qëllime si më parë.

Kjo është një nga një sërë aksionet e ndërmarra për marrjen nën kontroll të objekteve apo për mbylljen e institucioneve të Serbisë në qytetet e Kosovës, të cilat Prishtina i konsideron si të paligjshme dhe paralele.

Më herët gjatë majit, edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut morën kontrollin mbi sallën sportive të qytetit, pas së cilës u njoftua se salla do të mbetet funksionale dhe se ata që duan ta përdorin duhet t’u drejtohen personave përgjegjës për caktimin e terminëve.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.

Në valën e fundit të mbylljes së institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë, përveç sallave sportive, janë përfshirë edhe bibliotekat e qytetit, muzeu i qytetit në Mitrovicën e Veriut, Instituti për kulturë, rini, sport dhe shërbime të specializuara, si dhe Shoqëria Kulturo-Artistike “Kosovski Bozhur”.