Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Baku, duke nisur një vizitë zyrtare dyditore në Kaukazin Jugor, e cila do ta çojë më pas edhe në Armeni.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Azertac, von der Leyen u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Heydar Aliyev” nga ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Me të mbërritur në Baku, kreu i Komisionit Evropian theksoi angazhimin e Bashkimit Evropian për të thelluar marrëdhëniet me vendet e rajonit.
“BE-ja beson në një të ardhme të ndritur për Kaukazin Jugor – një rajon të lidhur, paqësor dhe të begatë. Ne duam të kontribuojmë në ndërtimin e kësaj të ardhmeje. Gjithashtu, jam këtu për të forcuar partneritetin mes BE-së dhe Azerbajxhanit, duke zgjeruar bashkëpunimin në fusha si tregtia, transporti, energjia dhe ekonomia”, shkroi von der Leyen në rrjetin social X.
Gjatë vizitës në Azerbajxhan, ajo do të zhvillojë një takim me presidentin Ilham Aliyev, ndërsa pas bisedimeve dy liderët pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Të enjten, von der Leyen do të udhëtojë në Armeni, ku do të takohet me kryeministrin Nikol Pashinyan. Vizita do të përmbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp, ndërsa në të dyja ndalesat presidentja e Komisionit Evropian shoqërohet nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.









