Neuer pas eliminimit të Gjermanisë: Ky fund dhemb, por nuk pendohem për rikthimin

Manuel Neuer ka reaguar për herë të parë pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026, duke pranuar zhgënjimin e madh për dështimin e “Pancerave”, por duke theksuar se nuk pendohet aspak për vendimin për t’u rikthyer në kombëtare.

Gjermania i dha lamtumirën turneut që në fazën e 1/16-ave, pasi u mposht nga Paraguai, një rezultat që ka shkaktuar kritika të shumta dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Julian Nagelsmann.

Në një postim në rrjetet sociale, portieri i Bayern Munich shprehu keqardhjen për mënyrën se si përfundoi aventura në Botëror.

“Eliminimi i hershëm nga Kupa e Botës është jashtëzakonisht zhgënjyes. Nuk arritëm të përmbushnim pritshmëritë dhe duhej të kishim shkuar shumë më larg. Ky përfundim dhemb shumë,” shkroi Neuer.

Veterani 40-vjeçar tregoi se rikthimi te kombëtarja ishte një vendim i menduar mirë, i motivuar nga dëshira për të ndihmuar ekipin me përvojën e tij.

“Vendosa me vetëdije të luaja edhe një herë për Gjermaninë. Të vesh fanellën e kombëtares ka qenë gjithmonë një krenari e madhe për mua. Me përvojën e katër Kupave të Botës, doja të mbështesja lojtarët e rinj brenda dhe jashtë fushës dhe të jepja kontributin tim për futbollin gjerman. Pavarësisht këtij fundi të hidhur, nuk jam penduar për këtë vendim as edhe për një sekondë.”

Në fund të mesazhit të tij, Neuer falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.

“Zhgënjimi është i papërshkrueshëm, por njëkohësisht ndihem jashtëzakonisht mirënjohës. Faleminderit për mbështetjen tuaj gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë këtij turneu,” përfundoi legjenda e Bayern Munich.