Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar rregulla të reja që shtrëngojnë kriteret për vizat e studentëve të huaj, vizitorëve të programeve të shkëmbimit dhe gazetarëve ndërkombëtarë që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas njoftimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, rregullorja e re përcakton kufij të qartë kohorë për vizat e kategorive F, J dhe I. Deri më tani, këto viza lëshoheshin në bazë të kohëzgjatjes së programit të studimit, shkëmbimit ose angazhimit profesional në Shtetet e Bashkuara.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Gazetën Qeveritare të SHBA-së, pasi të përfundojë edhe procesi i shqyrtimit nga Kongresi.
Masat e reja janë pjesë e politikës së administratës Trump për forcimin e kontrollit mbi imigracionin, e cila ka vijuar që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025.
Sipas ndryshimeve, vizat studentore dhe ato për programet e shkëmbimit nuk do të kenë një vlefshmëri më të gjatë se katër vjet. Ndërkohë, vizat për gazetarët e huaj do të kufizohen në 240 ditë, ndërsa për shtetasit kinezë vlefshmëria do të jetë deri në 90 ditë.
Mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësi të aplikojnë për zgjatjen e qëndrimit. Në rast se afati përfundon, ata do të duhet të kërkojnë një zgjatje pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare ose të dalin nga territori amerikan dhe të aplikojnë për një hyrje të re.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare argumenton se ndryshimet janë të nevojshme për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 1.8 milion hyrje me viza studentore, më shumë se 500 mijë vizitorë të programeve të shkëmbimit dhe rreth 37 mijë viza për anëtarë të medias.
Sipas autoriteteve amerikane, shtimi i ndjeshëm i këtyre kategorive ka vështirësuar monitorimin e tyre, ndërsa janë evidentuar edhe raste të personave që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara përtej afateve të lejuara nga vizat.









