Lionel Messi konsiderohet aktualisht si favoriti kryesor për të fituar Topin e Artë, pas paraqitjeve mbresëlënëse me Argjentinën në Botërorin 2026. Kapiteni i “Albiceleste” e udhëhoqi skuadrën drejt finales, ku do të përballet me Spanjën.
Debati që ka marrë hov ditët e fundit lidhet me faktin se Mesi aktivizohet te Inter Miami dhe jo në një klub europian. Megjithatë, vetë organizatorët e Topit të Artë kanë sqaruar se nuk ekziston asnjë rregull që e pengon një futbollist jashtë Europës të fitojë trofeun.
Sipas faqes zyrtare të çmimit, që prej vitit 2007 nuk ka asnjë kufizim gjeografik për fituesin e Topit të Artë, çka do të thotë se Messi është plotësisht i kualifikueshëm për ta fituar trofeun.
Madje, kjo nuk do të ishte hera e parë. Në vitin 2023, argjentinasi e fitoi Topin e Artë ndërsa ishte pjesë e Inter Miamit, duke dëshmuar se klubi ku aktivizohet nuk ndikon në garën për çmimin individual më prestigjioz në futboll.
Falë performancave të jashtëzakonshme në Botëror, ku ka regjistruar 8 gola dhe 4 asistime, Messi ka kaluar në avantazh ndaj rivalëve kryesorë si Harry Kane dhe Kylian Mbappé. Kontributi i tij ishte vendimtar edhe në eliminimin e Anglisë në gjysmëfinale, duke forcuar statusin e tij si kandidati numër një për ta fituar për herë të nëntë Topin e Artë.









