Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në platformën e tij Truth Social një video të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqet në rolin e një mjeku që pretendon se “shëron” kritikët e tij nga ajo që ai e quan me ironi “Sindroma e Çrregullimit Trump”.
Në videon satirike paraqiten disa prej kundërshtarëve më të njohur të Trump, të cilët, sipas skenarit të krijuar me Inteligjencë Artificiale, trajtohen nga presidenti amerikan dhe “shërohen” nga kundërshtimi ndaj tij.
Mes personazheve të përfshirë është edhe aktorja Rosie O’Donnell, e cila reagoi duke theksuar se qëndrimi i saj ndaj Trump nuk ka ndryshuar dhe se videoja nuk pasqyron realitetin, raportoi gazeta britanike The Guardian.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar videon si pjesë të stilit humoristik të komunikimit të presidentit. Zëdhënësi Davis Ingle deklaroi se Trump ka të drejtë të publikojë materiale të tilla dhe shtoi se “Sindroma e Çrregullimit Trump është një sëmundje që, fatkeqësisht, ka gërryer trurin e shumë njerëzve”.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë të ditur nëse Shtëpia e Bardhë ka kontaktuar ndonjë prej personazheve të përdorur në video.
Përveç Rosie O’Donnell, në pamjet e publikuara shfaqen edhe figura të njohura të Hollywood-it, si Whoopi Goldberg, Edward Norton dhe Julia Roberts, të gjithë të njohur për kritikat e tyre publike ndaj Donald Trump.









