Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një seri masash të reja ndaj Iranit, duke deklaruar rivendosjen e bllokadës detare ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëruar vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat tregtare që transportohen përmes kësaj rruge strategjike detare.
Lajmi u bë publik nga vetë Trump përmes një postimi në platformën e tij, Truth Social, ku ai theksoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar, por jo për anijet iraniane apo subjektet që bashkëpunojnë me Teheranin.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin. Ne po rivendosim bllokadën iraniane, e cila ndalon vetëm anijet dhe klientët e Iranit të hyjnë ose të dalin. Të gjitha vendet e tjera do të kenë akses të lirë dhe të drejtë në këtë korridor detar”, shkroi presidenti amerikan.
Trump deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të marrin rolin e garantuesit të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar vendimin si të domosdoshëm për mbrojtjen e lundrimit ndërkombëtar në një nga zonat më të tensionuara të globit.
Sipas tij, për të mbuluar kostot e këtij operacioni ushtarak dhe të sigurisë, Uashingtoni do të aplikojë një tarifë prej 20% mbi vlerën e çdo ngarkese që transportohet përmes ngushticës.
“Që nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të njihen si ‘Rojet e Ngushticës së Hormuzit’. Për hir të drejtësisë, ne do të rimbursohemi me një tarifë prej 20% mbi të gjitha ngarkesat e transportuara, për të mbuluar kostot e garantimit të sigurisë në këtë pjesë tepër të paqëndrueshme të botës”, deklaroi Trump.
Njoftimi vjen në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë arritur nivelet më të larta të viteve të fundit, pas shkëmbimit të sulmeve ushtarake në Gjirin Persik dhe rreth Ngushticës së Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit. Çdo zhvillim që prek këtë zonë ka ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në ekonominë globale.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me deklaratat e presidentit amerikan, ndërsa analistët paralajmërojnë se masat e reja mund të rrisin më tej tensionet në Gjirin Persik dhe të përshkallëzojnë përplasjen mes dy vendeve.










