Arrestohet Ahmadinejad – New York Times:Dyshohet për lidhje me Mossad-in dhe kontakte sekrete me Izraelin

Ish-presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, është vendosur në arrest shtëpiak nga dega e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, pasi autoritetet iraniane dyshojnë se ai ka mbajtur kontakte të fshehta me Izraelin. Lajmi është publikuar nga New York Times, e cila citon katër zyrtarë të lartë iranianë të njohur me hetimin.

Sipas raportimit, hetimet e zhvilluara nga autoritetet iraniane kanë zbuluar prova që dyshohet se lidhen me komunikime dhe kontakte të Ahmadinejadit me shërbimet izraelite të inteligjencës, çka ka çuar në vendimin për vendosjen e tij në arrest shtëpiak.

Në të njëjtin artikull, New York Times pretendon se Izraeli ka zhvilluar prej vitesh një operacion të fshehtë me synimin për të rekrutuar Ahmadinejadin si bashkëpunëtor dhe, në një fazë të mëvonshme, ta mbështeste atë si figurë drejtuese në rast të rrëzimit të regjimit aktual iranian.

Një nga episodet që përmendet në raport lidhet me fillimin e vitit 2024, kur, sipas gazetës amerikane, një zyrtar i lartë hungarez i kërkoi rektorit të Universitetit të Shërbimit Publik “Ludovica” në Budapest, Gergel Dely, të ftonte Ahmadinejadin në një konferencë mbi ndryshimet klimatike.

Rektori ka deklaruar se më vonë mësoi se konferenca do të shërbente si mbulesë për një takim të fshehtë mes Ahmadinejadit dhe përfaqësuesve të inteligjencës izraelite. Edhe pse kishte rezerva për ndikimin që kjo mund të kishte në reputacionin e universitetit, ai pranoi të dërgonte ftesën, duke argumentuar se dialogu mes palëve armiqësore mund të ishte i dobishëm.

Raporti shton se ish-zyrtarë amerikanë pretendojnë se drejtori i atëhershëm i shërbimit izraelit të inteligjencës, David Barnea, udhëtoi personalisht në Budapest për t’u takuar me Ahmadinejadin.

Sipas të njëjtave burime, kontaktet mes palëve kanë vijuar edhe në vitet pasuese. Gazeta pretendon se Izraeli ka kryer pagesa të fshehta për Ali Akbar Javanfekr, ish-zëdhënës i Ahmadinejadit, ndërsa agjentë izraelitë janë takuar disa herë me të përpara nisjes së operacionit të koduar “Luani që Ulërin”.

Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare mbi këto pretendime, ndërsa informacioni i publikuar nga New York Times mbështetet në burime anonime të cituara nga gazeta.