Tragjike në Kolonjë/ Trungu i drurit e zë poshtë gjatë punës – Humb jetën 36-vjeçari nga Pogradeci

Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 36-vjeçari në Kolonjë, ndërsa po kryente procesin e ngarkimit të trupave të drurit në një subjekt privat të licencuar për përpunimin e lëndës drusore.

Sipas të dhënave paraprake, viktima ishte banues në Pogradec dhe ishte i punësuar në këtë subjekt. Ngjarja ndodhi në zonën e fshatit Kurtesh, ku ai kishte shkuar për të ngarkuar trupa druri.

Gjatë punës, një prej trungjeve dyshohet se është shkëputur papritur, duke e zënë poshtë 36-vjeçarin. Për shkak të plagëve të rënda të marra, ai ka humbur jetën në vendngjarje, pa mundur të marrë ndihmë mjekësore.

Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë dhe nëse ngjarja lidhet me shkelje të procedurave gjatë procesit të ngarkimit të lëndës drusore.