Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të shtunë, duke shënuar ditën e 42-të radhazi të tubimeve të organizuara në kryeqytet. Qytetarët kanë nisur të grumbullohen në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë.
Organizatorët e kanë cilësuar tubimin e sotëm si një protestë kombëtare, duke ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen manifestimit. Thirrja për pjesëmarrje ishte bërë publike edhe gjatë tubimit të një dite më parë.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e të gjithë klasës së vjetër politike dhe krijimin e një qeverie teknike që, sipas tyre, do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ashtu si në tubimet e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet të mbahen fjalime nga organizatorët dhe përfaqësues të protestuesve, të shoqëruara me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.
Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa forcat e policisë kanë marrë masa për mbarëvajtjen e tubimit dhe garantimin e rendit publik.









