Tensione dhe përplasje para Kuvendit/ Elisa Spiropali çon sërish mesazh: “Mos u merrni me protestuesit, por bëni analizën e vetes”

Protesta e qytetarëve para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa situata në disa momente ka dalë jashtë kontrollit.

Gjatë ndërhyrjes së policisë janë shoqëruar disa protestues, ndërsa burime nga terreni bëjnë të ditur se si efektivë të policisë, ashtu edhe qytetarë kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve. Në mesin e të plagosurve është parë edhe një protestues me fytyrën e mbuluar në gjak, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Ndërsa jashtë godinës së Parlamentit vijonin përplasjet dhe tensionet, deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, mbërriti në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare.

Në një deklaratë për mediat, Spiropali theksoi se politika duhet të përqendrohet te reflektimi dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve, duke theksuar se secila forcë politike duhet të analizojë fillimisht veten.

“Ne kemi punën tonë. Duhet të reflektojmë, të dëgjojmë dhe të ofrojmë zgjidhje. Mos u merrni me protestuesit, por me veten. Diskutimet vijnë nga të gjithë. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për njerëzit, për shqetësimet e tyre dhe për të ofruar zgjidhje. Çdo forcë politike duhet të bëjë analizën e vetes përpara se të analizojë kundërshtarin”, u shpreh Spiropali.

Deklaratat e deputetes socialiste vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë po vijojnë të shoqërohen me tensione në kryeqytet, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë rikthyer në qendër të debatit klimën politike dhe mënyrën e menaxhimit të tubimeve publike.