Tension para Parlamentit/ Protestuesit bllokojnë mbërritjen e Niko Peleshit – Sulmohet dhe opozita

Atmosfera para godinës së Kuvendit të Shqipërisë u tensionua paraditen e së enjtes, kur një grup protestuesish priti me thirrje dhe protesta kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, në momentin e mbërritjes së tij për të marrë pjesë në seancën plenare.

Protestuesit u grumbulluan pranë hyrjes së Parlamentit, duke brohoritur parulla kundër drejtuesve të mazhorancës. Në çastin kur automjeti që transportonte Peleshin iu afrua godinës, disa prej tyre hodhën miell mbi makinën e tij, ndërsa në kor dëgjoheshin thirrjet: “Hajdut, o hajdut!”.

Ngjarja u zhvillua nën praninë e forcave të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat monitoruan situatën dhe garantuan hyrjen e zyrtarëve në ambientet e Kuvendit.

Protesta nuk u kufizua vetëm ndaj përfaqësuesve të mazhorancës. Gjatë tubimit, qytetarët shënjestruan edhe deputetët e opozitës, duke i akuzuar se nuk po përmbushin rolin e tyre. Në drejtim të tyre u artikuluan slogane si “Opozitë e shitur”, duke shprehur pakënaqësinë ndaj të gjithë klasës politike.

Aksioni para Parlamentit është pjesë e protestave që po zhvillohen në kryeqytet, ku qytetarët kërkojnë ndryshime politike dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga institucionet shtetërore.