Në Tiranë pritet të ndërtohet një spital ekselence nga Grupi italian San Donato, një projekt që kryeministri Edi Rama e cilësoi si një hap të rëndësishëm për transformimin e sistemit shëndetësor në vend.
Gjatë prezantimit të projektit, Rama deklaroi se punimet pritet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2028, duke theksuar se struktura e re do të krijojë mundësi për trajtimin e rasteve të ndërlikuara që aktualisht kërkojnë shpesh trajtim jashtë vendit.
“Ky është një kapitull i ri për shëndetësinë. Ky spital do të trajtojë edhe sëmundjet e komplikuara dhe do t’u japë qytetarëve mundësi të reja për kujdes shëndetësor të specializuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri falënderoi drejtuesit e Grupit San Donato dhe ekipet që kanë punuar për realizimin e projektit, duke e cilësuar investimin si një shembull konkret të forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Ettore Sequi, të cilin e përshkroi si një figurë që ka kontribuar në afrimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe ambasadorin italian Marco Alberti për mbështetjen ndaj projekteve të përbashkëta.
Rama u shpreh optimist se ndërtimi i spitalit do të realizohet sipas afateve të përcaktuara dhe se objektivi është që objekti të jetë funksional në vitin 2028.
Sipas tij, ky investim përbën një tjetër hap në drejtim të modernizimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së kapaciteteve për trajtimin e patologjive komplekse brenda Shqipërisë.









