Alarm në Damask/ Shpërthime pranë hotelit ku qëndroi Macron gjatë vizitës në Siri

Një incident sigurie ka tronditur Damaskun gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez Emmanuel Macron në Siri, pasi disa shpërthime janë regjistruar pranë hotelit ku ai kishte qëndruar gjatë natës.

Sipas burimeve nga shërbimet siriane të sigurisë, shpërthimet dyshohet se janë shkaktuar nga pajisje shpërthyese të vendosura në zonën pranë hotelit në qendër të kryeqytetit sirian.

Pas incidentit, autoritetet siriane ndërmorën masa të menjëhershme sigurie, duke bllokuar rrugët përreth zonës dhe duke shtuar praninë e forcave të sigurisë për të garantuar mbrojtjen e delegacionit francez dhe stabilitetin në zonë.

Dëshmitarë okularë raportuan se kishin parë tym që ngrihej pranë hotelit ku Macron kishte kaluar natën, përpara se presidenti francez të largohej drejt pallatit presidencial për takimin e planifikuar me homologun sirian Ahmed al-Sarrah.

Pavarësisht incidentit, televizioni shtetëror sirian bëri të ditur se takimi mes Macronit dhe presidentit sirian u zhvillua sipas agjendës së parashikuar.

Autoritetet siriane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin e autorëve dhe për përcaktimin e qëllimit të vendosjes së pajisjeve shpërthyese pranë zonës ku qëndronte lideri francez.