Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin për nisjen e debatit mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, duke kërkuar hapjen e partisë, më shumë demokraci të brendshme dhe një raport më të afërt me qytetarët.
Në deklaratën për mediat, Spiropali theksoi se dokumenti nuk është një nismë personale, por një platformë e hapur për kontributin e të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste. Ajo bëri të ditur se mocioni i është drejtuar kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari të forcës politike.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë”, deklaroi Spiropali.
Ajo nënvizoi se vendi ka nevojë për më shumë demokraci, përfaqësim dhe drejtësi shoqërore, si edhe për një marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve. Sipas saj, të rinjtë janë në krye të kërkesave për ndryshim dhe Partia Socialiste duhet t’u përgjigjet pritshmërive të tyre.
“Kemi nevojë për më shumë demokraci, përfaqësim dhe drejtësi shoqërore. Të rinjtë, që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, presin më shumë nga ne. Besoj se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, Spiropali lëshoi edhe një mesazh që është interpretuar si një kritikë e tërthortë ndaj mënyrës së drejtimit të PS-së nga Edi Rama. Ajo theksoi se kjo nismë nuk synon krijimin e fraksioneve apo përçarjen e partisë, por bashkimin e energjive progresiste.
“Kjo nuk është një përpjekje për fraksion, ndarje apo përçarje, por për bashkimin e të gjitha energjive progresiste të Partisë Socialiste dhe të shoqërisë. Ne duhet t’u përgjigjemi qytetarëve me përulësi, jo me arrogancë, duke i dëgjuar dhe duke kanalizuar kërkesat e tyre përmes institucioneve. Pavarësia e drejtësisë ka qenë një nga krenaritë tona dhe mbetet një nga çështjet më të rëndësishme”, deklaroi Spiropali.
Dorëzimi i mocionit vjen në një moment debatesh të brendshme në Partinë Socialiste dhe pritet të hapë diskutime mbi drejtimin e reformave, organizimin e partisë dhe raportin e saj me qytetarët.









