Administrata amerikane ka konfirmuar se kanalet e komunikimit me Iranin mbeten të hapura, pavarësisht tensioneve të fundit mes dy vendeve dhe përshkallëzimit të situatës në rajon.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani po vazhdojnë kontaktet diplomatike, duke shtuar se pala iraniane ka interes për të arritur një marrëveshje të re.
Sipas saj, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar pozicionin e Iranit, i cili po përballet me pasoja të rënda pas veprimeve ushtarake amerikane.
“Veprimet tona erdhën pasi Irani shkeli Memorandumin e Mirëkuptimit të arritur më parë”, u shpreh Leavitt, duke argumentuar se ky ishte shkaku i ndërhyrjeve të fundit nga ana e SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, ajo akuzoi Teheranin se ka ndërmarrë sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve detare më strategjike për tregtinë dhe furnizimin global me energji.
Megjithëse retorika mes palëve mbetet e ashpër, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se diplomacia vazhdon të jetë rruga e preferuar për zgjidhjen e krizës.
“Presidenti është gjithmonë i gatshëm të ndjekë rrugën e diplomacisë”, deklaroi Leavitt, duke mos dhënë detaje mbi fazën e negociatave apo nëse palët janë pranë një marrëveshjeje të re.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur marrëdhëniet SHBA-Iran mbeten të tensionuara, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me vëmendje çdo zhvillim që mund të ndikojë në stabilitetin e Lindjes së Mesme.









